Stampa

NDALESA E DHJETË

I ringjalluri i dorëzon parësinë Pjetrit

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.
Të gjithë  - Sepse me Pashkën tënde i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Gjonit (Gjn 21,15-17)
15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: "Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?". Iu përgjigj: "Po, Zot, ti e di se unë të dua". Jezusi i tha: "Kulloti qengjat e mi!".
  16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: "Simon nga Jona, a më do ti mua?". Iu përgjigj: "Po, Zot, ti e di se unë të dua". Jezusi i tha: "Ki kujdes për delet e mia".
  17 E pyeti për të tretën herë: "Simon nga Jona, a më do ti mua?". Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: "A më do ti mua?", dhe iu përgjigj: "Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua". Jezusi i tha: "Kulloti delet e mia.

Grupi1
Jezusi i ringjallur takon Pjetrin me zemër të hapur, nën tingullin e lehtë të valëve të liqenit të tij, që përplaseshin në sfond. Pas çdo takimi të madh bëhet dorëzimi i diçkaje të madhe.  I nxit deklarata e trefishtë e dashurisë: “Më do ti Simon më shumë se këta?”. Tre herë, disa ditë më parë e kishte mohuar. Tre herë, tani, duhej të vinte në vend tradhtinë e dashurisë me një deklaratë të re të përtërirë dashurie. “Ti e di, Ti di gjithçka, e di që unë të dua!”. Dhe pas çdo dëshmimi të zemrës, dorëzimi i atyre fuqive që janë shërbimi i dashurisë: “Kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia”. Të duash Jezusin mbi çdo gjë tjetër nuk është një idil: është një angazhim për atë që Jezusi pati më të shtrenjtë. E ka paguar me gjakun e tij.

Grupi 2
Njerëzit e ditëve të sotshme, veçanërisht të përfshirë nga shtrëngata e erërat, kanë nevojë më shumë se kurrë për një pikë referimi të qëndrueshme dhe të sigurtë. Kemi nevojë për sigurinë e Krishtit, që kullot qengjat e delet e tij përmes Pjetrit. Të çosh në kullotë është ushqyese. Të çosh në kullotë është të ndriçosh. Të çosh në kullotë është të ngushëllosh. Të çosh në kullotë është të lirosh. Të çosh në kullotë është të zhvillosh. Pjetri është dhuratë e Pashkëve. Është njëri prej nesh, një vëlla i yni, i bërë bari jo për meritë të njerëzisë të tij, po aq e brishtë sa jona, por për meritë të fjalës së Jezusit që e mbështet. Kryen rolin e tij si udhëheqës, në emër të Jezusit, për ne, grigjën e kullotës së tij

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Ne të falenderojmë O Jezus i ringjallur, për Pjetrin e sotshëm, Papën tonë, i cili jeton shërbimin e tij apostulik me shumë bujari e ngrohtësi, në sakrificë të këtyre kohëve kaq të bukura, por dhe kaq të vështira. Çdo ditë ti na pyet edhe ne: “Më do ti më shumë se këta?”.
Neve, me Pjetrin dhe nën udhëheqjen e tij, na beson një pjesë të grigjës tënde. Dhe ne besohemi në Ty. Na bind Mësues dhe dhurues i jetës, se vetëm nëse duam do të mund të kullosim grigjën tënde; dhe vetëm përmes sakrificave tona mund të arrijmë ta ushqejmë me të vërtetën dhe paqen tënde.

Të gjithë – Amen
Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës