NDALESA E PESTË

I ringjalluri shfaqet në thyerjen e ndarjen e bukës

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Lukës (Lk 24, 28-35)
28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
  29 Por ata e detyruan duke thënë: "Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron". Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
  30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
  31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
  32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: "Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?".
  33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
  34 Ata thoshnin: "Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit".
  35 Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.

Grupi 1
Zoti hyn në bujtinë. Pas ftesës së ngutshme që i bënë ata të dy, ulet në tavolinë për herë të parë që pas ringjalljes. Është darka e parë e Jezusit qiellor, pas darkës së fundit të Jezusit tokësor, është shijimi i darkës së përjetshme të mbretërisë. Fati i njeriut është darka, dmth bashkimi me Hyjin dhe bijtë e Hyjit. Dy dishepujt, të përgatitur nga Mësuesi gjatë rrugëtimit nëpërmjet leximit të Shkrimit të Shenjtë, vërejnë me kujdes ndarjen e bukës. Feja që kishin i ndihmon t’u hapet zemra plotësisht. Është pikërisht Ai, Zoti. Emaus është një proçes i ngadalshëm rinjohjeje. Është udhëheqja e Mësuesit drejt thelbit të Fjalës. Pastaj vjen dhe gjesti i Mësuesit si aktualizim i Fjalës së rëndësishme: Darka

Grupi 2
 Njeriu modern ka shumëfishuar rrjetet e komunikimit, porse nuk ka hapur akoma portat e zemrës. Është e domosdoshme të ndiqet shkolla e Emausit. Sa herë që hapim dyert e zemrës për të ndryshmin nga ne, për të panjohurin, për “të huajin”, gjejmë të hapura portat e zemrës së Hyjit, Transhendentin. Dy dishepujt e Emausit, me përmbushjen e një gjesti dashurie, përgatiten për eksperiencën qiellore të dashurisë: Darka; janë të gatshëm në njohjen e dashurisë; Rinjohja. Nëse njerëzit e ditëve të sotme do të fillonin të donin më të vegjlit, të varfërit, të largëtit, të shtypurit, të gjithë ata që edhe pse nuk bëjnë pjesë në të njëjtin klan, janë gjithsesi bij të Hyjit e jo të panjohur, vetëm atëherë do të arrinin të zbulonin se sytë i kanë të mbyllur me fasho. Dhe do të arrijnë të shohin dashurinë, dmth do jetonin  eksperiencën e të Ringjallurit, të Hyjit që rri “në pritë” në çdo rrugë.

 

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Jezus i Ringjallur, në Darkën Tënde të fundit si person njerëzor, ke treguar përmes larjes së këmbëve të vetmen mënyrë se si mund të marrim pjesë në Eukaristi. Gjatë Darkës së parë si njeri qiellor, ke dashur të tregosh se mikpritja e të ndryshmit është kushti për t’u bërë i mundur bashkimi me ty. Zot i lavdisë, na ndihmo të përgatisim celebrimet tona, duke larë këmbët e më të fundëve, duke mirpritur në zemër e në shtëpi “të varfërit, sakatët, të çalët, të verbërit” (Lk 14,13), nevojtarët e ditëve të sotme, që s’kanë tjetër shenjë njohjeje përveçse të qënurit imazhi yt i gjallë.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.