Stampa

NDALESA E GJASHTË

I ringjalluri u shfaqet i gjallë dishepujve

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Lukës (Lk 24, 36-43)
36 Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!".
  37 Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.
  38 Atëherë ai u tha atyre: "Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?
  39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!".
  40 Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.
  41 Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: "A keni këtu diçka për të ngrënë?".
  42 Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.
  43 Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.

Grupi1
I Ringjalluri është mësuesi i durueshëm në rrugën e Emausit, ashtu si dhe në çenakull. Ja një skicë e e pedagogjisë së tij të Pashkëve: përmes fjalës dhe gjesteve ndihmon njerëzit e tij të binden mbi të vërtetën e Ringjalljes. I kalon nga terrori i fillimit në një gëzim të papërmbajtshëm. “Më prekni, verifikomëni” (Lk 24,39). Është folja që përdor si shenjë dalluese të eksperiencës së prekjes. Do të jetë folja e realizmit të lajmit të mirë të krishterë. Gjoni në letrën e tij të parë, shkruan: “E kemi prekur me duart tona” (1Gjn 1,1). I Ringjalluri nuk është një hije. Ringjallja nuk është një përrallë. Pashkët nuk janë një mit. I Ringjalluri është gjallë. I Ringjalluri është i vërtetë. Është shenja e vërtetë e Hyjit të gjallë. Është fuqia e tij e dashurisë. I Ringjalluri është shenja e njeriut: fitorja mbi vdekjen, gjithmonë e ëndërruar por kurrë e arritur. E Bukura e jetës, që jeton, këtu bëhet realitet. Dhe qëndron para njeriut. E qartë si mishi i fëmijës së sapolindur. Bota ka nevojë për këtë mësim të Pashkëve.

Grupi 2
Njeriu i ditëve të sotshme pret të takojë dëshmitarë të të Ringjallurit, ekspertë të shenjave. Bota duhet të mundet të prekë shenjat e dashurisë së Kishës së të Ringjallurit. Pedagogjia është struktura e durimit. Është aftësia e inteligjencës. Është mjeshtëria e eksperimentimit. Ne na duhet të familjarizohemi me të Ringjallurin përmes lutjes, përmes Fjalës dhe Eukaristisë. Duhet gjithashtu dhe të jemi në sintoni me botën e sotshme: me varfëritë e saj dhe pavendosmëritë, me ankthet e saj dhe me shpresat, me bastet që presin të fitohen në të ardhmen.

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Jezus i Ringjallur ne të admirojmë për durimin tënd në momentet e vuajtjes: që është heshtja. Ne të admirojmë për durimin tënd në momentin e Ringjalljes: që është pedagogjia. Neve, që si njerëz të këtyre kohëve duam gjithçka dhe menjëherë, na jep aftësinë të kemi një dashuri që di të presë, dhe këtë të dijë ta vendosë në veprim në lutje. Ti je i gjallë e nuk je një fantazëm. Na dhuro aftësinë të dimë të të trjatojmë si Të Gjallë(Ap 1,18). Dhe na liro nga fantazmat që ndërtojmë për ty. Na bëj të përshtatshëm për t’u paraqitur si shenja të tuat. Bota i pret këto shenja që të mund të besojë. 

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.