NDALESA E DYMBËDHJETË

I ringjalluri ngjitet në qiell

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga Veprat e Apostujve (At 1,6-11)
6 Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: "Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?".
  7 Por ai u tha atyre: "Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.
  8 Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut".
  9 Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.
  10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,
  11 dhe thanë: "Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell".

Grupi1
I Ringjalluri ka fituar mbi vdekjen. Ka hyrë në sferën e jetës pa fund. Edhe trupi i tij është shënuar nga lavdia. Gjatë 40 ditëve të Pashkëve bëhet i shikueshëm, i prekshëm, i përqafueshëm; bisedon, ha dhe ecën me të tijtë; u bën atyre të fundit premtim: “Do të keni forcë nga Shpirti i Shenjtë” për të përmbushur misionin universal. Ajo thirrje “Gjithçka është përmbushur”, e thënë mbi kryq, tani bëhet plotësisht realitet. duke hyrë në sferën e jetës pa fund, I Ringjalluri na humbet nga vështrimi ynë normal për shkak të brishtësisë së syve tanë. Porse i Ringjalluri mbetet mes njerëzve, ashtu siç ka premtuar: “Do të jem me ju të gjitha ditët e jetës”. Jezusi bashkëndan me A
tin të qënurit Zotër të Universit. Tani ulet në të djathtën e tij. Kështu natyra njerëzore përfshihet në sferën e Hyjit. Asnjë materialist s’do të mundë ndonjëherë t’i japë lavdi materies, aq sa ajo u lavdërua përmes misterit të Ngjitjes në qiell të të Ringjallurit.

Grupi 2
Njeriu i ditëve të sotshme, nuk shikon qiellin, i mjafton toka. Të paktën kështu beson. Por qielli është mënyra për t’i përkitur Hyjit të padukshëm. Shenjtërit e eksperimentojnë si bij-trashëgimtarë. Njeriu i sotshëm, fashuar nga materializmi që ka si qëllim kryesor vetëm të ketë pasuri, të bëjë qejf e të ketë pushtet, nuk ka sy për të parë realitete të padukshme. Vuan rëndë nga miopia, për të mos thënë nga verbëria e plotë. E pra qielli do të jetë përvoja e fundit për ata që gjatë jetës në tokë i kanë dhënë të hajë të uriturit, të pijë të eturit, do të jetë përvoja e fundit për atë që ka ngushëlluar të dëshpëruarin. Vetëm ai që ka bërë të mundur të jetojnë një pjesë të realitetit të bamirësisë qiellore, bijtë e varfër e  të uritur të Hyjit, vetëm ai mund të lejohet të hyjë në qiellin e Pashkëve të Përjetshme.

 

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Jezus i ringjallur, ke shkuar të na përgatisësh një vend. Vendi i njeriut-bir është në të djathtën e Hyjit-Atë e Nënë. Biletën e kemi marrë. Nuk duhet ta shqyejmë. Bëj që sytë tanë të jenë të fiksuar atje ku është gëzimi i përjetshëm. Një pjesë parajse ndreq me të vërtetë gjithçka. Duke parë Pashkët e plota ne do të angazhohemi të realizojmë mbi tokë Pashkët për çdo njeri e për të gjithë njerëzinë. Pashkët e sotshme që lirojnë njeriun, janë profecia e gëzueshme e lumtururisë pa kufi.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.