NDALESA E DYTË

Dishepujt gjejnë varrin bosh

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Gjonit (Gjn 20,1-9)
Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri.
  2 Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: "E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë".
  3 Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri.
  4 Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.
  5 Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.
  6 Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,
  7 dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.
  8 Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.
  9 Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.

 

Grupi 1
Çfarë bisede e rrëmbyer rreth një varri.
Maria Magdalena, me të parë gurin e varrit përmbys, vrapon për në qytet. Pjetri e Gjoni nxitojnë për te varri ky kishin varrosur me ngut kufomën për shkak të festës së Parasheve (ditën e premte hebrejtë përgatisnin gjithçka për të shtunën meqë e shtuna për ta ishte dita e pushimit) (Gjn 19,42). Një spektakël i pazakonshëm në një varr të sapohapur: pëlhurat shpërndarë përtokë e shamia e hollë në një kënd. Njerëzit turbullohen përreth varrit dhe përpiqen të kuptojnë diçka. Kjo gjë e re ju shtie pak frikë. Gjoni nis të besojë në pushtetin e gjithanshëm të Hyjit. Zoti mund, Zoti do, Zoti bën. Mundet sepse është i gjithpushtetshëm. Do sepse është Atë. Bën sepse është besnik i Fjalës.

Grupi 2
Njeriu i sotshëm ndihet në ankth nga idea e vdekjes dhe për këtë arsye përpiqet ta shmangë: porse shkenca, teknika, progresi, ndryshojnë vetëm diçka nga ky realitet, ndërsa vdekja mbetet e pavdekshme. Vdekja e varrimi mbysin shpresat e njeriut edhe pasi ai ka arritur hënën. Do të ishte kaq e palumtur historia mbi varrin e Jeruzalemit nëse do të kishte vazhduar të mbante të varrosur brenda Të Drejtin; do të kishte qenë dëshmi e fitores së të keqes mbi të mirën, e errësirës mbi dritën, e asgjësë mbi ekzistencën . Ky episod në histori do ta bënte absurde krejt historinë, s’do të kishin vlerë vuajtjet e të pafajshmëve, varrimet e martirëve në çdo kohë. Nëse njeriu e humbet këtë çelës, rrezikon të ndërmarrë shtegun e absurdit. 

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Vetëm Ti Jezus i Ringjallur na rijep gëzimin e jetës. Vetëm Ti na bën të shohim një varr të boshatisur përbrenda. Na bind që forca jonë nuk ka pushtet përballë vdekjes kur nuk je Ti. Na bëj të kemi besim te fuqia e Gjithpushtetshme e Dashurisë, që fiton mbi vdekjen.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.