NDALESA E KATËRT

I ringjalluri në rrugën e Emausit

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Lukës (Lk 24,13-19.25-27)
13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
  14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
  15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
  16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
  17 Dhe ai u tha atyre: "Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?".
  18 Dhe një nga ata, që quhej Kleopa, duke u përgjigjur tha: "Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?".
  19 Dhe ai u tha atyre: "Cilat?". Ata i thanë: "Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit”.(…)  25 Atëherë ai u tha atyre: "O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
  26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?".
  27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

Grupi 1
“Unë jam rruga” pati thënë Jezusi. Ai, rruga e Zotit për njeriun, kryqëzon shtigjet e errëta të njerëzimit të çjerrë përbrenda e të shthurur përjashtë. Emblemën e e këtij kryqëzimi ndërmjet hapave të ndritshëm të Jezusit dhe hapave të luhatshëm të njeriut, e gjejmë tek rruga që shkon drejt Emausit, mëngjesin e ditës së Ringjalles. I Ringjalluri, rrugë e Hyjit drejt njeriut, fillon të bëhet rruga e njeriut drejt Hyjit. Ishte dita e dritës, por dishepujt ishin të verbër. Ishte dita e gëzimit por dishepujt ishin po aq të trishtuar. Ishte dita e Pashkëve dhe dishepujt ndiheshin si të vdekur. Hyji ndjek këmba-këmbës njeriun gjatë ecjes, sepse njeriu është nën kujdesin e tij. Jezusi është Hyji i panjohur i Emausit dhe bëhet për ne shok udhëtimi. Nuk i thyen xhamat e dritareve tona, por troket, pret, futet brenda, dëgjon; pyet. Pastaj me durim, shpjegon, domethënë, shpjegohet.

Grupi 2
Njerëzit e kohëve tona, për shkak të informacioneve të shumta dhe angazhimeve, ndihen të dërrmuar nën peshën e trishtimit. Gjithsesi ekziston një diferencë e madhe ndërmjet arsyes së trishtimit të dy udhëtarëve të Emausit dhe asaj të dishepujve të sotshëm. Ata të dy ishin të trishtuar sepse Ai kishte vdekur; ne vazhdojmë të mbesim të trishtuar megjithëse e dimë se jeton. Mbesim të shokuar përballë ngjarjeve të shumta. Akoma nuk kemi gjetur thelbin e ekzistencës. Zoti na ndjek përgjatë rrugëve që përshkojmë, na arrin, na befason, na kupton, dhe ne prapëseprapë nuk kemi besim tek Ai. Me dy dishepujt, Jezusi bën gjoja sikur duhej të vazhdonte udhëtimin. Të bërit gjoja të Jezusit është nxitëse për njeriun. Heshtja e Hyjit shprehet edhe kur ndërmarrim një rrugë tjetër nga ajo që ishim duke përshkuar bashkë me të, edhe kur demostrojmë ndjenja mospranimi, kundërshtimi, vështirësie, sepse ne jemi të padurueshëm në shpresën tonë.
   
Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Qëndro me ne Jezus i ringjallur: po bie nata. Do të të gjejmë një strehë. Do të të japim një pjatë. Do të të japim ngrohtësi. Do të të japim dashuri. Qëndro me ne, Zot: nata e dyshimit dhe e ankthit tenton të bjerë mbi zemrën e çdo njeriu. Qëndro me ne, Zot: ne do të jemi në shoqërinë tënde, dhe kjo na mjafton. qëndro me ne, Zot, sepse po bie nata. Dhe, na bëj dëshmitarë të Pashkëve të tua.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës