NDALESA E TRETË

I ringjalluri i shfaqet Magdalenës

Prifti - Të adhurojmë, Jezus i ringjallur e të bekojmë.

Të gjithë  - Sepse me Pashkët e tua i ke dhënë botës jetë.

Lexuesi: Nga ungjilli sipas Gjonit (Gjn 20,11-18)
11 Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,
  12 dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.
  13 Ata i thanë: "O grua, pse po qan?". Ajo u përgjigj atyre: "Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë".
  14 Si tha këtë, ajo u soll prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.
  15 Jezusi i tha: "O grua, pse po qan? Kë kërkon?". Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: "Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr".
  16 Jezusi i tha: "Mari!". Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: "Rabboni!", që do të thotë: Mësues.
  17 Jezusi i tha: "Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj".
  18 Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.

 

Grupi1
Gjoni e Pjetri të kthyer në Jeruzalem, presin diçka të re. Maria Magdalena përkundrazi qëndron aty: çon vellon e zisë, vëzhgon varrin. Ëngjëjve që e pyesin ju shpjegon arsyen e vajtimit të saj: “E kanë hequr”. Ndihet e paralizuar nga dhimbja. Jezusi akoma i panjohur e thërret për emër: “Maria”. Zemra e Marisë përflaket, fytyra i ndriçohet nga gëzimi, shpirti i ndizet: është vetë Ai që e ka thërritur për emër me theksin e tij të veçantë, me atë ngarkesë emocionale krejt të tijën. Maria e thirrur për emër, përgjigjet me emrin tjetër plot dashuri e respekt të pafund: “Mësues”.

Grupi 2
Bota sot ka akoma shumë për të mësuar. Gruaja, që mbahej e padenjë për të dëgjuar Shkrimet e Shenjta, që s’kishte të drejtën të dëshmonte në gjyqe, zgjidhet si dëshmitarja e parë e ringjalljes. Historia fillon të ndryshojë drejtim. I Ringjalluri i beson një gruaje një detyrë të rëndësishme: t’u shpallë shpallësve lajmin e mirë, të thërrasë që jeta është gjallë; rruga e mbyllur për shekuj ndaj më shumë së gjysmës së qënieve njerëzore, grave, më në fund hapet. Me pasurinë e saj, feminilitetin, gruaja bëhet për Kishën ruajtësja e gëzimit dhe e jetës. Është Eva e re për epokën e Dymijëvjeçarit të ri.

Të gjithë - Gëzohu, Nënë e Virgjër:
Krishti është ringjallur. Aleluja

Prifti – Jezus i Ringjallur ti më thërret sepse më do. Në të përditshmen time mund të të njoh ashtu siç arriti të të njihte Maria Magdalena. Ti më thua: “Shko dhe shpallu gjithçka vëllezërve të mi”. Më ndihmo të shkoj nëpër rrugët e botës, në familjen time, në zyrë, në fabrikë, në vendet e shumta ku kaloj kohën e lirë, për të kryer detyrën e madhe, që është shpallja e jetës.

Të gjithë - Amen

Të gjithë së bashku :O Maria, tempull i Shpirtit të Shenjtë, na udhëhiq si dëshmitarë të Ringjalljes në udhën e dritës.